Vengeri i zemëron edhe më shumë tifozët e Arsenalit

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ngjalli, edhe një herë tjetër, zemërimin e tifozëve të Arsenalit, duke e lënë në stol sulmuesin më të mirë të ekipit të vet, Aleksis Sançez, në ndeshjen  me Liverpulin që e humbi 3-1 në “Enfild Roud”. Sidoqoftë, ai u përpoq që ta rregullonte gabimin, duke e futur atë në lojë që, atëkohë, kishte marrë tatëpjetën e pandalshme për “topçinjtë”.

Sigurisht  që ai, mbas ndeshjes, duhet të jepte përgjigje për këtë çështje dhe, në përpjekje për t’u justifikuar, Vengeri tha se problemi kryesor nuk ishte sulmi, por mesfusha, e cila u mbizotërua plotësisht nga mesfusha liverpulase.

“Doja që ekipi të futej më direkt në zonën e 16-tshes së kundërshtarit dhe, kështu, vendosa në favor të Zhirusë dhe Uellbekut që janë më të fortë në përplasjet e drejtpërdrejta. Mendoj se problemi nuk qëndronte te këta lojtarë, por se problem përbente fakti se mesfusha jonë dështoi, ne nuk e zotëruam topin aq sa duhet dhe, sigurisht, se vendime të tillë gjithnjë ngjallin shumë debate”, vuri në dukje Vengeri mbas ndeshjes.

sfidanti.al