Murinjo humorist: Kemi harruar të gjuajmë penalltitë, ka muaj që  s’na  jepen!

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, megjithëse duhet të jetë i mërzitur nga barazimi 1-1, në fushën e vet, me Bornmuthin që luajti në të gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë dhe që endet andej nga fundi i klasifikimit, nuk e humbet asnjëherë sensin e tij të humorit, qoftë ai edhe “i zi”. Duhet të theksohet se rastin më të mirë në këtë ndeshje e kishte Zllatan Ibrahimoviçi, kur gjuajti penallti, por pa sukses, pasi topin e priti portieri kundërshtar. Pikërisht, duke pasur parasysh këtë rast, Murinjo bëri një shaka origjinale dhe pyetjes lidhur me penalltinë e humbur që, në fakt, ishte penalltia e dytë që i jepej ManU-së gjatë këtij sezoni, ai iu përgjigj:

“Ne nuk bëjmë më stërvitje për të gjuajtur penalltitë, duke menduar se përse ta harxhojmë kohën kot, pasi kishte katër ose pesë muaj që asnjë arbitër nuk na jepte neve penallti! Zllatani dhe Pogba nuk gjuajnë më penallti në stërvitje dhe, tani, që neve na dhanë penallti, ata nuk janë më në gjendje që t’i gjuajnë mirë. Ndoshta, kjo juve ju duket për të qeshur, por kjo është situata”, tha Murinjo.

sfidanti.al