Natyrisht “armiq” është fjalë e nxituar. Siç thotë Farruk Sejdini, “nuk ka qorr që nuk do sy”, pra nuk ka trajner që nuk do lojtarin e mirë, dhe Pep Guardiola natyrisht që e vlerëson lart atë që Jaja Ture dhe Kun Aguero po bëjnë për të. Ata shkëlqyen në fitoren e fundit, 2-0 në fushën e Sandërlendit, që i mbajti në distancën 8 pikë nga Çelsi, me të dyja skuadrat që kanë luajtur nga 26 ndeshje. Nëse Mançester Siti do të dalë kampion, do të jetë padyshim edhe merita e madhe e tyre.
Ture dhe Aguero kanë pasur, gjithsesi, mënyrë të ndryshme sesi u ka ecur sezoni. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë u gjykua i pavlefshëm në fillim të edicionit, me Guardiolën që donte ta largonte, ashtu siç bëri edhe tek Barcelona. Realiteti i ndryshëm i futbollit anglez, gjithsesi, e detyroi të ndryshonte mendje. Në Premier Ligë nuk shkon vetëm talenti, edhe nëse do të kishte Mesin, Ksavin apo Iniestën. Duhen edhe shumë muskuj dhe përvojë, cilësi që i ka me shumicë Jaja Ture.
Aguero, në të kundërt, ishte ylli i madh i Pepit, i njëvlefshmi i Mesit të Barçës dhe Ronaldos së Realit. Për fat të keq, pas një fillimi shumë të mirë, Kun pati një rënie dhe Guardiola e uli në stol. Duket se kjo ulje në stol i bëri mirë argjentinasit, i cili pati edhe fat nga dëmtimi i brazilianit Gabriel Zhezus. Me dy lojtarë të vënë në sedër dhe me shumë personalitet si Jaja dhe Kun, Guardiola ka mundur ta kthejë në shina Mançester Sitin, siç e tregojnë rezultatet e fundit. Trajneri ka edhe të tjerë si Stouns, Kolarov, Fernandinjo, Stërling, David Silva apo Sane.
Sfidanti.al