Keni frikë nga VAR-i? Pa problem, mendon arbitri ta ndalojë!

Teknologjia VAR u paraqit si shpëtimi nga padrejtësitë e lojës së futbollit. Padyshim që mund të ndihmojë për më pak polemika dhe më shumë drejtësi, pasi shikon me pamje të ngadalësuara dhe në mënyrë special çdo aksion të dyshimtë, por si çdo teknologji tjetër edhe ajo ka nevojë për diçka thelbësore që të vihet në punë, për dorën dhe mendjen e njeriut.

Mendja e gjyqtarit Kavaleze nuk gjykoi se VAR duhej përdorur në rastin e pretendimit për penallti nga ana e Kaljarit, në ndeshjen ndaj Juventusit. Kampionët fituan 1-0 në “Sardenja Arena”, por ishullorët kërkuan 11-metërsh kur Bernardeski (autori i golit) preku topin me dorë në zonë. Analizat televizive deklaruan më pas se duhej dhënë penallti, por VAR nuk mund të punojë vetë dhe të japë vendime vetë. Duhet që gjyqtari të shkojë e të shohë pamjet dhe të vendosë, ndërsa Kavaleze këtë nuk e bëri.

Me siguri, në FIFA duhet të mendojnë se të tillë si Kavaleze duhet të detyrohen të këshillohen me VAR-in kur ka pretendime dhe situata të tilla të dyshimta.

Sfidanti.al