Kanë qenë përballë më shumë se një herë. Xhorxho Kielini e Sergio Ramos janë ndeshur në thuajse çdo nivel të Championsit, si dhe me kombëtaret, dhe italiani ka mbetur shumë i impresionuar nga spanjolli. Kapiteni i Juventusit vlerëson se Ramosi është mbrojtësi më i mirë i botës, edhe pse vetë cilësohet si një nga më të shquarit, ndërsa ka edhe të tjerë si Gerard Pike, Bonuçi apo Van Dajk, sa për të përmendur disa emra.
Kielini e shprehu vlerësimin e tij në një bisedë në instagram me ish-sulmuesin e shquar italian, Bobo Vieri. Ai vlerëson në mënyrë të veçantë ndërhyrjen që Ramosi bëri ndaj sulmuesit të Liverpulit, Mohamed Salah, në finalen e Championsit në 2018, kur egjiptiani doli nga fusha i dëmtuar, dhe Reali arriti një triumf tjetër historik.
“Mund të thonë se është më shumë impulsiv se duhet, – u shpreh kapiteni i Juventusit, – që ka pak aftësi taktike dhe është fajtor që pësohen 8 apo 10 gola në sezon, por ka dy gjëra që askush tjetër nuk i ka si ai. E para është që ia del gjithnjë të japë maksimumin në ndeshjet e mëdha, dhe që është vendimtar edhe në ndërhyrjet që janë jashtë logjike, përfshi edhe dëmtimet që provokon, me një dinakëri thuajse djallëzore”.
Gjithsesi, Kielini theksoi se Ramosi nuk deshi ta dëmtonte Salahun, ndonëse ylli i Liverpulit duket se mendon ndryshe dhe nuk ia fali. “Cilësia e dytë e Ramosit, – vazhdoi juventini, – është të ndikojë tek skuadra edhe vetëm me praninë e tij. Pa Ramosin, lojtarë jashtë klasi si Varan, Karvahal apo Marselo duket sikur e humbasin dhe Reali ndihet si skuadër që nuk di të mbrohet”.
Në moshën 34-vjeçare, Ramosi mbetet një shtyllë e Realit dhe e kombëtares së Spanjës. Përveçse shumë i fortë në mbrojtje, ai është një shënues nga më të dalluarit me gati 120 gola të realizuar për klubet dhe përfaqësuesen. Sergio Ramos ka 25 trofe me Realin dhe Spanjën, duke qenë një nga futbollistët më fitues të historisë.
Sfidanti.al