Kejn-Son, dhe Totenhemi i Murinjos mund të quhet pretendent!

Nuk është se gjithçka po shkon në mënyrë të përsosur, por në Premier Ligë është shumë e vështirë që kjo të ndodhë. Vetëm skuadra tepër të kolauduara dhe me aureolë të madhe si Mançester Junajtidi i dikurshëm i Fergit, Siti i Guardiolës apo Liverpuli i Klopit mund të mburren se ia dalin, ndërsa për Totenhemin është gjë e madhe edhe kur mund të matet me kreun. Fitorja 1-0 në fushën e Bërnlit bëri që Spërsat të jenë vetëm 2 pikë larg Evertonit e Liverpulit, ndërsa Zhoze Murinjo duket se më në fund po arrin të krijojë një tjetër skuadër fituese.

Mos vallë stili i tij udhëheqës, edhe pse shpesh polemizues dhe antipatik, po ndihmon një ekip që kurrë nuk është shquar për fitore të titujve, që t’u afrohet këtyre? Padyshim, nuk ka gjë më të mirë për lojtarët sesa të punojnë me një trajner që ka 25 trofe në karrierë! Për më tepër, papritur Totenhemi po shquhet për lojën sulmuese, diçka që nuk ka qenë “kryefjala” e stilit të Murinjos. Londinezët kanë golaverazhin më të mirë në Premier Ligë për momentin, +8. Koreanojugori Son shënoi golin e vetëm në stadiumin e Bërnlit, në minutën e 76-të, pas asistit të marrë me kokë nga Harri Kejn. Spërsat kanë 11 pikë ndaj 13 të Evertonit e Liverpulit, ndërsa Aston Vila ka 12 pikë, me një ndeshje më pak të luajtur.

Sfidanti.al