Kejn-Haland, transferimet-rekord të verës që mund të arrijnë 350 milionë euro!

Një çift transferimesh me vlerë 350 milionë euro. Futbolli pritet të ketë një stinë rekordesh këtë verë, ndërsa dy prej sulmuesve kryesorë të Europës dhe të gjithë botës mund të ndryshojnë ekip. Harri Kejn, kapiteni i Anglisëë dhe nënkampion i kontinentit, me shumë gjasë nuk do të pranojë të vazhdojë tek Totenhemi. Pas një Europiani të madh me kombëtaren e “tre luanëve”, sulmuesi 27-vjeçar është duke menduar se koha ka ardhur, dhe madje po kalon, që ai të fitojë trofe.

E ardhmja e Kejnin pritet të jetë tek Mançester Siti, gjithashtu në Premier Ligën angleze, veçse Totenhemi nuk do të bindej për më pak se 150 milionë paundë stërlina, që do të thotë 175 milionë euro. Trajneri i Sitit, Pep Guardiola, synon një zëvendësues për legjendën Kun Aguero që u largua, ndonëse ka theksuar se është e vështirë që transferimi të realizohet patjetër këtë verë.

Goditja tjetër e madhe e stinës do të jetë ajo e Erling Halandit. Sulmuesi i Dortmundit është një nga më të kërkuarit në botë, bashkë me Kilian Mbapenë e Paris SG, dhe kostoja e transferimit të tij mund të arrijë gjithashtu në 175 milionë euro, pra 150 milionë paundë stërlina. Pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, është i vendosur që ta realizojë këtë operacion me çdo kusht, të paktën kështu shkruajnë mediat britanike. Në moshën 20-vjeçare, Halandi njeriu i rekordeve, pasi ka shënuar 57 gola në 59 ndeshje me Dortmundin, si dhe ka 22 gola në vetëm 24 ndeshje në Champions, si askush më parë.

Me këto dy transferime, kjo stinë mund të krahasohet me verën e vitit 2017 kur Paris SG realizoi dy goditje të mëdha. Fillimisht mori Nejmarin nga Barcelona për 222 milionë euro, ende një rekord botëror, si dhe mori Kilian Mbapenë nga Monako për 180 milionë euro, ndonëse paratë u paguan në 2018.

Sfidanti.al