Nuk ka ndërmend ta bëjë dhe ndoshta interesi në klub është që ai të vazhdojë të mbetet president. Natyrisht, edhe Florentino Perezi është njeri dhe mund të gabojë si gjithë të tjerët, por një njeri i vërtetë di të marrë përgjegjësinë për gabimet e tij, dhe kështu duhet të bëjë numri 1 i Realit, për ofendimin pas krahëve që i ka bërë dy legjendave, Raul Gonzales dhe Iker Kasijas. Në shtator të vitit 2006, kur nuk ishte president, ai bëri disa komente tmerrësisht negative për dy yjet, në një bisedë private që nuk dihet sesi u regjistrua dhe u botua tashmë nga mediat spanjolle.
“Ai (Kasijas) nuk është portier për Realin, – tha atëherë Perezi, – as nuk është dhe as nuk ka qenë ndonjëherë. Ai është një nga dështimet tona më të mëdha. Veçse ndodh që ata (tifozët) e adhurojnë shumë atë, mezi presin të flasin me të, e duan atë, nuk e di përse e mbrojnë kaq shumë. Ai është një nga mashtrimet e mëdha (“frauds” në anglisht). i dyti është Rauli. Dy mashtrimet e mëdha tek Reali janë Raul i pari dhe Kasijasi i dyti. Rauli është i keq, ai mendon se Madridi është pronë e tij dhe bën gjithçka që ta shfrytëzojë për të mirën e tij. Ai është një figurë negative, po shkatërron Madridin dhe moralin e lojtarëve. E pamundur ta imagjinosh sesa i keq është ky djalë”.
Sot Raul Gonzalesi është trajner i ekipit të dytë të Realit (Kastija) dhe padyshim që situata në klub është bërë delikate. Vetë Perezi ka deklaruar zyrtarisht se fjalët janë nxjerrë nga konteksti, veçse pozicioni i 74-vjeçarit nuk është aspak për t’u pasur zili, pavarësisht se është një miliarder i fuqishëm dhe ka fituar shumë me Realin. Në 2006, ai u largua si president pasi u akuzua se mendonte më shumë për fitimet financiare sesa ato sportive, diçka që ka ndryshuar në mandatin e dytë. Gjithsesi, Perezi ende nuk po bën atë që pritet prej një figure të tillë, t’i dalë për zot fjalëve të tij dhe të kërkojë falje.
Sfidanti.al