Armando Broja kthehet tek Çelsi, nis stërvitjen me kampionët e Europës!

Ja ku jemi përsëri. Armando Broja u bashkua me Çelsin e Londrës në seancën e parë stërvitore të skuadrës angleze, ndërsa shpreson që të lëshojë rrënjë në një klub kaq të madh. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, ende 19-vjeçar, i dha fund huazimit njëvjeçar në Holandë, falë kërkesës së trajnerit të Bluve, Tomas Tuhel. Ai ishte në nisje të fazës përgatitore të verës, së bashku me një pjesë të skuadrës, pasi pjesa tjetër është me pushime pas ngarkesës me ekipet kombëtare në Kampionatin Europian dhe Kupën e Amerikës. Në një moment Tuheli bëri shaka. “Tre lojtarë dhe 18 trajnerë, jo keq”, – tha tekniku gjerman duke qeshur.

Broja ka qenë pjesë e Çelsit që në moshë të vogël, ndërsa arriti të debutonte në ekipin e parë duke u aktivizuar në ndeshjen e Premier Ligës ndaj Evertonit dy vjet më parë, i vlerësuar nga ish-trajneri Frenk Lampard. Ai u huazua në Superligën e Holandës tek Viteshe e Arnhemit, ku bëri një paraqitje të shkëlqyer duke shënuar 10 gola e shërbyer 2 asistë në 30 ndeshje të kampionatit. Një rekord për adoleshentët edicionin e kaluar. Paraqitja e Brojës, që arriti edhe finalen e Kupës së Holandës me Viteshen, tërhoqën vëmendjen e trajnerit Tuhel që pritet t’i japë 19-vjeçarit një kontratë të re për të siguruar një të ardhme afatgjatë në “Stemford Brixh”. Gjithsesi, konkurrenca tek Çelsi do të jetë shumë e madhe, pasi anglezët u shpallën kampionë të Europës në maj duke fituar Championsin përballë Mançester Sitit, ndërsa përveç sulmuesit gjerman, Timo Verner, synojnë të marrin yllin 20-vjeçar norvegjez, Haland.

Sfidanti.al