Kur gjyqtari sinjalizoi fundin, pati gëzim, por edhe dëshpërim. Një nga derbit e Italisë, ai Juventus-Milan, ishte një nga ato ndeshje ku rezultati mund të quhej fare mirë i gënjeshtërt. Kampionët fituan ashtu siç, në Serinë A dinë të bëjnë vetëm ata, pra të triumfojnë edhe kur nuk luajnë mirë. Shënuan tre gola me fare pak gjuajtje në portë, ndërsa përballë tyre, Milani ishte skuadra që bëri shumë më tepër.
Pas golit të mrekullueshëm të Dibalës, erdhi barazimi i merituar, ndërsa tronditja ishte e madhe në stadiumin “Alianc Arena” të Torinos. Autor i rrjetës për Milanin ishte kapiteni Leonardo Bonuçi, pra një ish-juventin, një nga simbolet e mëdhenj të Juventusit të trajnëerëve Konte e Alegri. Mbrojtësi i qendrës jo vetëm shënoi, por edhe festoi, diçka që tifozët vendas nuk e mendonin aspak se do të ndodhte.
Formacioni milanez, i drejtuar nga trajneri Xhenaro Gatuzo, nuk u kënaq me barazimin, por kërkoi fitoren. Karakteri ishte njëlloj si ai i Gatuzos kur luante vetë në fushë me fanelën kuqezi, veçse përvoja dhe fati nuk ishin me Milanin.
Pavarësisht sulmeve dhe rasteve të krijuara, golin e shënoi kundërshtari. Minutat e fundit ishin një delir për publikun, pasi fillimisht Kuadrado, e pastaj Kedira, fiksuan rezultatin 3-1. Me këtë fitore, Juventusi u shkëput në 4 pikë nga Napoli, që gaboi duke barazuar në fushën e Sasuolos. Titulli i 7-të radhazi duket krejtësisht i mundshëm tani. Milani, ndërkaq, mbeti shumë larg zonës Champions, të cilën ndoshta do të synojë ta arrijë sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al