Mesi hyn nga stoli, shpëton pathyeshmërinë e Barçës në La Liga

Mbeteshin vetëm 2 minuta lojë, plus shtesat, në stadiumin “Sançez Pizhuan” të Seviljes, dhe një nga arritjet më të mëdha të sezonit dukej se do të merrte fund. Barcelona ishte në prag të humbjes së parë në La Liga, me skuadrën vendase që kryesonte 2-0.

Gjithsesi, trajneri Ernesto Valverde, kishte ende një “as nën mëngë”, dhe kë tjetër përveçse Lionel Mesin. Argjentinasi hyri në fushë në minutën e 58-të, por me durim priti momentin e tij, ndërsa ndryshoi fytyrën e skuadrës. Deri në atë moment, katalanasit nuk arrinin të mbanin topin, por sapo “Mjeshtri” hyri në lojë, nisi “recitali”. Mesi krijoi raste për Kutinjon, Zhordi Albën dhe Suarezin (që goditi shtyllën e jashtme). Pesë minuta para fundit, Rakitiç goditi sërish shtyllën, dhe pastaj erdhën golat.

Suarez shkurtoi shifrat në 88’, me një gjuajtje të fortë në zonë, pas një goditjeje nga këndi. Një minutë më vonë, Mesi mori një top në hyrje të zonës, dhe shënoi me topin që kaloi fare pranë shtyllës. Ky ishte goli i tij i 36-të në 44 ndeshje këtë edicion, si dhe i 26-ti në La Liga në 29 takime, duke qenë golshënuesi më i mirë.

Barcelona mbeti e pathyer, me 23 fitore e 7 barazime në 30 ndeshje, ndërsa ka edhe 8 javë deri në fund. Katalanasit kanë 76 pikë, me 76 gola të shënuar dhe shkojnë të sigurt drejt titullit. Kur nuk humbën as këtë herë në fushën e Seviljes, vështirë se humbasin më.

Sfidanti.al