Nuk dihet se çfarë fjalësh mund t’u ketë thënë Jup Hajnkes lojtarëve të tij pas një ndeshjeje të tillë. Trajneri veteran, një ish-sulmues i madh i Bundesligës dhe Championsit, me siguri që i ka qortuar ashpër lojtarët e tij ofensivë, Levandovski e Tomas Myler, për humbjen e pafalshme të rasteve për gol, por pa dyshim nuk ka lënë pa u tërhequr veshin mbrojtësve për gabimet kardinale që sollën ndëshkimin.
Me atë që bëri në fushë, Bajerni meritonte ta fitonte gjysmëfinalen e parë në Ligës së Kampionëve ndaj Realit, në “Alianc Arena”, por përfundimi ishte 2-1 për madrilenët. Skuadra e Zidanit falenderoi vendasit që e falën disa herë, dhe po ashtu iu përgjigj ftesave të bëra nga “mëkatet”, si ai i Rafinjës në pjesën e dytë.
Xhoshua Kimih kaloi bavarezët në epërsi në 28’, pastaj Marselo barazoi minutën e parafundit, pas disa karamboleve para zonës së Bajernit. Në pjesën e dytë, në 57’, zëvendësuesi Marko Asensio i dha fitoren “merengesve” që pavarësisht se po shtojnë lavdinë në Champions, duken hija e skuadrës që ishte vjet.
Kampionët e dy edicioneve të fundit sikur po jetojnë me “qiranë” e sukseseve të mëparshme, me inercinë e një formacioni të mbushur me yje, por jo bindës në lojën e tij. Nuk shkëlqeu dot as ndaj Juventusit, dhe as në Mynih, edhe pse mori atë që donte.
Kristiano Ronaldo nuk mundi të shënonte këtë herë, dhe kjo sepse në rolin e qendërsulmuesit i mbetej të priste topat e shokëve të tij, që në përgjithësi nuk erdhën. Rastet që krijoi Reali ishin ose për gabime të Bajernit, ose për veprime të ndonjë lojtari të veçantë si Benzema.
A ka shpresë ekipi i Jup Hajnkesit që të arrijë kualifikimin në “Bernabeu”? Duket e vështirë, edhe për faktin se bavarezët janë disi të vjetër e ndonjëherë të parashikueshëm, me tendencën për ta mbështetur lojën tek Frank Riberi. Sidoqoftë, nëse Reali nuk përmirësohet ndjeshëm, gjithçka mund të ndodhë.
Sfidanti.al