Ka Real, por ka dhe Juventus, finalen e Championsit e mësuam!

Ky brez ndoshta do të realizojë atë që pak e kanë bërë. Tifozët e Juventusit e dinë se mund të ëndërrojnë edhe me sytë hapur, pasi heronjtë e tyre fituan 2-0 në fushën e Monakos, duke fituar praktikisht vendin në finalen e Ligës së Kampionëve në Kardif. Ata e presin triumfin që prej 21 vitesh, që kur Juvja e madhe e Marçelo Lipit fitoi Championsin në “Olimpiko” të Romës, pas dramës së penalltive ndaj Ajaksit.

Kjo Juve e Alegrit nuk duket kaq dramatike dhe ndaj Monakos mbajti rrjetën të paprekur për të 9-ën herë në 11 ndeshjet e këtij sezoni në Europë. As Barcelona nuk mundi t’i shënonte, ndërsa skuadra e Principatës krijoi jo pak raste, sidomos në pjesën e parë, por mungesa e përvojës nuk e la të shfrytëzonte momentin e shkëlqyer. Italianët, më të “rrahur me vaj e me uthull”, përballuan me qetësi minutat e vështira dhe shënuan dy herë me anë të Gonzalo Higuainit, me nga një gol në çdo pjesë loje. i mrekullueshëm sidomos goli i parë, me një manovëe që nisi nga mbrojtja dhe nga Bufoni, dhe ku morën pjesë 9 lojtarë.

Kampiones së Italisë i mbetet të luajë edhe ndeshjen e dytë në Torino, diçka që besohet se do ta bëjë me seriozitetin që i takon, dhe pastaj të përballet, sipas të gjitha gjasave, me Realin e Madridit në stadiumin “Milenium” të Kardifit në Uells. Nëse do të jetë një finale e tillë, atëherë Bufonit me shokë do t’i duhet realizojnë misionin e fundit në këtë Champions, të mos lejojnë Kristiano Ronaldon që ta dërgojë topin në rrjetë.

Sfidanti.al

monako juve1