Juvja fiton edhe “pa” Ronaldon, Interi duhet të presë!

“Roma nuk u ndërtua në një ditë”, do të thoshin latinët e vjetër. Edhe Luçiano Spaleti duhet ta ketë në majë të gjuhës përgjigjen pas humbjes 0-1 në Torino ndaj Juventusit në Serinë A. Në një ndeshje ku skuadra e tij nuk i lejoi kampionët që të dominonin siç kanë dëshirë, disfata tregoi se ka ende rrugë për t’u bërë që të konfirmohet si pretendente reale për titull.

Zikaltërit e dinë se nuk mund të jesh i tillë në -14 pikë nga kreu. Për atë që u pa në stadiumin “Alianc Arena”, Juventusi e meritoi fitoren, edhe pse milanezët nuk është se zhgënjyen shumë. E meta e vetme, dhe mjaft e madhe, ishte që u lëshuan vetëm dy gjuajtje në kuadrat, edhe pse në formacionin mik ishin Ikardi, Lautaro, Perishiç apo Keita. Mbrojtja juventine, me në krye “profesorin e Harvardit”, Kielini (batutë e Murinjos kjo), ia doli të bllokonte thuajse gjithçka. Tronditën shtylla e Galiardinit dhe gjuajtja e Politanos.

Skuadra e trajnerit Alegri ia doli edhe pse Kristiano Ronaldo ishte pak si shumë “tokësor” këtë herë, diçka që mund t’i falet pa qejfmbetje. Siç shkruan “La Gazeta delo Sport”, portugezi më i mirë i mbrëmjes ishte Kanselo, që në minutën e 66-të dha topin me Mario Manxhukiçin, kroatin më vendimtar të sfidës, edhe pse Brozoviç këtë herë luajti shumë mirë. Juventusi u ngjit në 43 pikë nga 45 të mundshme, duke lënë Napolin, përkohësisht, 11 pikë prapa në renditjen e Serisë A.

Sfidanti.al