Mediat italiane bëjnë shaka të hidhur duke shkruar e thënë se 35 000 tifozët në stadiumin “Alianc” të Torinos do të kishin bërë mirë të kishin vizituar ndonjë museum, sesa të shpenzonin dy orë nga koha e tyre për të parë një ndeshje të shëmtuar. Juventusi ishte më keq në lojë sesa e thotë rezultati 1-1 ndaj Bolonjës në fushën e vet, edhe pse barazimi gjithashtu u shpëtua vetëm në minutat shtesë (95’). Arnautoviç kaloi bolonjezët në epërsi, ndërsa Dushan Vlahoviç barazoi me asistin me roveshatë të Alvaro Moratës. Vendasit kërkuan penallti, e ndoshta me të drejtë ndërsa Bolonja e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë pasi Medel dhe Sumaro u përjashtuan me të kuq. “Duhet të mbrojmë më mirë, – tha trajneri juventin, Masimiliano Alegri, – pjesa e parë e jona ishte shumë e keqe. Nuk duhet të jemi nervozë, sepse edhe nëse do të kishim fituar, nuk do ta kishim të sigurt vendin e katërt. Pas nesh, skuadrat po vrapojnë, Fiorentina ka kalendar më të mirë se ne, ka edhe ndeshjen direkte”.
Sfidanti.al