Guardiola: Humbja? Nuk mund të luajmë gjithmonë me të njëjtit lojtarë!

Çfarë ndodh kur një trajner bën 7 ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit? Padyshim që krijohet një konfuzion dhe mekanizmat e humbasin automatizmin e tyre. Kështu ngjau edhe me Mançester Sitin që humbi 2-3 ndaj Liverpulit në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë, pasi Pep Guardiola zëvendësoi 7 emra në formacionin që pati ndaj Atletikos në Madrid, në Champions. Duke nisur me portierin Stefëns, me Gabriel Zhezusin, Fernandinjon, Zinçenkon si dhe me të tjerë. “Ne ishim të detyruar të bënim zëvendësimet, – tha ai, – kemi pasur dëmtime dhe mbilodhje. Ne pësuam golin e parë nga goditje standarde ku Liverpuli është shumë i fortë, pastaj ishte goli i dytë aksidental, ndërsa i treti erdhi në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë ne treguam krenari të madhe, shënuam dy gola dhe patëm raste të pastra, gjë që nuk është e lehtë ndaj Liverpulit. Unë kam besim tek lojtarët e mi, edhe tek portieri Stefën”.

Sfidanti.al