Ata që luajnë në fushë duhet të përqëndrohen tek ndeshja. Futbollistët e Juventusit dhe stafi teknik udhëtuan drejt Empolit për ndeshjen e radhës në Serinë A, ndërsa në Gjykatën Sportive të Apelit po vendoset fati i sezonit. Për çudi, më shumë sesa këmbët e lojtarëve këtë do ta përcaktojë vendimi i Komisionit të Apelit në Federatën Italiane të Futbollit. “La Gazeta delo Sport” informon se prokuroria sportive federale ka kërkuar heqjen e 11 pikëve nga renditja e tanishme e bardhezinjve në Serinë A, ndërsa vendimi pritet të merret brenda ditës. Juventusi ka 69 pikë dhe nëse pranohet kërkesa e prokurorisë, automatikisht do të dilte nga zona Champions, duke pasur shumë pak shpresë për t’u kthyer.
Kjo do të ishte një goditje e rëndë për rekordmenët e titujve në Itali, që do të shkaktonte dëm të madh sportiv dhe financiar. Ish-drejtuesit piemontezë si Anjeli, Nedved dhe Paratiçi, akuzohen për mashtrime me bilancet, me kontratat e lojtarëve, veprime që në Itali njihen me emrin “plusvalencat”. Skuadra e trajnerit Masimiliano Alegri po kalon një sezon tepër të vështirë, ku pavarësisht vendit të dytë momental në Serinë A, u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Europës nga Sevilja, dhe në gjysmëfinale të Kupës së Italisë nga Interi. Më herët, gjykata sportive e shkallës së parë i hoqi Juventusit 15 pikë, vendim që u hodh poshtë në Apel.
Sfidanti.al