U arrit fitorja, u sigurua kualifikimi, por u mor një paralajmërim. Juventusi e pati shumë të vështirë të arrinte gjysmëfinalet e Kupës së Italisë përballë Sasuolos, edhe pse pati një formacion të fortë në stadiumin “Alianc”. Fitorja 2-1 ishte një paralajmërin se asgjë nuk do të jetë e fituar pa luftuar fort. Paulo Dibala dhe Dushan Vlahoviç ishin sërish heronjtë, dhe duket se argjentinasi paska pasur nevojë që të ketë në krah të tij në sulm lojtarë të nivelit të lartë. Kapiteni shënoi golin e parë që në 3’, dhe sulmuesi serb shpëtoi ekipin në 88’, edhe pse rrjeta u cilësua autogol i Ruanit. Hamed Traore barazoi shkëlqyeshëm për Sasuolon që mbetet skuadër shumë e mirë, dhe që nuk u dorëzua deri në fund në Torino. Kjo do të thotë se në gjysmëfinale të Kupës së Italisë do të kemi derbin Inter-Milan si dhe përballjen Juventus-Fiorentina. Vlahoviç do të jetë menjëherë përballë ish-skuadrës së tij, dhe për më keq përballë ish-tifozëve në stadiumin “Artemio Franki”.
Sfidanti.al