Juventusi konfirmon Pirlon, por trajneri është -11 pikë nga Sarri!

Në nisje të këtij sezoni, tifozët ishin të lumtur që në stol kishte ardhur një trajner që cilësohej “me stofin e Juventusit”. Andrea Pirlo ishte një kampion elegant, një njeri i mësuar me fanelat e skuadrave të mëdha si Juve, Milan e Interi, ndryshe nga paraardhësi i tij, Sarri që kishte milituar më shumë tek Empoli e Napoli, si dhe pak kohë tek Çelsi. Gjithsesi, sot kur kanë kaluar disa muaj, llogaritë dalin ndryshe. Skuadra e Pirlos është 11 pikë prapa asaj të Sarrit në të njëjtin moment të sezonit, dhe kjo pas humbjes 0-1 me Beneventon në Torino.

Klubi nxitoi të konfirmonte trajnerin dhe të deklaronte se Kristiano Ronaldo do të vazhdojë në Torino edhe sezonin e ardhshëm, por mediat italianë kanë nisur kritikat. “Trajneri, skuadra dhe klubi janë në bankën e të akuzuarve”, – shkruan “La Gazeta delo Sport”. Pas 27 javësh, Juvja e Pirlos ka 55 pikë, ekipi i Sarrit kishte 66, ndërsa skuadra e Alegrit dy vjet më parë kishte arritur në 75 pikë. Pas 8 vjetësh, Juvja humb për herë të parë në fushën e vet nga një skuadër e sapo ngjitur në Serinë A si Benevento. Objektivi i vetëm mbetet Kupa e Italisë, me finalen ndaj Atalantës, të cilën nuk e ka aspak të sigurt se mund ta fitojë, ndërsa në Champions është eleminuar, dhe Interi në Serinë A është 10 pikë larg. Pirlo nuk mundi të mos e bënte një kritikë për lojtarët: “Duhet të kuptojnë se ku janë duke luajtur!”

Sfidanti.al