Për Masimiliano Alegrin, dy nga lojtarët fiks të formacionit për repartin ofensiv duhet të jenë Dushan Vlahoviç dhe Federiko Kieza, i cili pritet të kthehet nga dëmtimi. Për lojtarin e tretë sulmues, siç dëshiron të luajë trajneri i Juventusit, janë përcaktuar 5 kandidatura, ndonëse ende nuk dihet se cili do të mbërrijë, apo ndoshta mund të vijnë dy. Kjo, sepse mundësitë financiare të Juves nuk janë si ato të Sitit apo PSG-së. Emrat janë Di Maria, Berardi, Zaniolo, Kostiç dhe Pulishiç. Argjentinasi ka përvojë, teknikë, shpejtësi dhe aftësi të madhe për harkim, ndonëse ka moshë të madhe. Berardi e Zaniolo janë teknikë e të fortë, mund të ndihmojnë në mbrojtje, dinë të luajnë në krah e të shërbejnë asiste, por edhe të shënojnë. Kostiç luan vetëm majtas, është shumë i aftë në driblim dhe harkim, krosuesi më i mirë i Europës, ndërsa Pulishiç është i zoti për të luajtur në dy krahë dhe për të shërbyer asistë. Bie në sy se Xhakomo Vrioni nuk duket të jetë në planet e Alegrit.
Sfidanti.al