“Juventusi godet, Europa është vetëm 9 pikë larg, virtualisht në Champions”!

Provimi për këtë ekip nuk përfundon kurrë. Kur je Juventus nuk mund të lavdërohesh shumë edhe kur arrin tri fitore radhazi, por gjithsesi, momenti është i tillë që do vlerësim. Fitorja 2-0 në fushën e Specias i dha pikërisht triumfin e tretë njërin pas tjetrit në Serinë A, dhe sidomos i dha qetësi futbollistëve dhe trajnerit Masimiliano Alegri. Ky i fundit, tepër i kritikuar për stilin e lojës, sidomos pas barazimit zhgënjyes ndaj Nantës në Ligën e Europës brenda në Torino, këtë herë mori një revansh. Kean dhe Di Maria shënuan golat dhe Juventusi është tani vetëm 9 pikë larg zonës europiane në kampionat. Jo vetëm kaq, por nëse nuk do të ishte dënimi, “Zonja e Vjetër” do të kishte 47 pikë, po aq sa Interi i vendit të dytë.

“Në kampionat për momentin po paraqitemi mirë sepse skuadra ka fituar 47 pikë. Ne duhet të shikojmë pikërisht këtë. Nga ana tjetër, e dimë se kemi vetëm 32 pikë dhe jemi në vend të 7-të ndaj duhet t’u afrohemi atyre që kemi më përpara. Duhet të përmirësohemi sepse edhe këtë herë pjesa e parë nuk ishte e mirë. Di Maria është një kampion, edhe pse është 35 vjeç. Hyri në fushë dhe bëri gjëra të jashtëzakonshme. Ai i jep qetësi të gjithëve”.

“Juventusi godet”, shkruan “Il Korriere delo Sporti”, suksesi i tretë radhazi, pa dënimin -15, Alegri do të ishte i dyti me Interin! Europa 9 pikë larg” “Di Maria është tjetër kategori, – vjen lavdërimi i të përditshmes “Tutosport” nga Torino, – Në Specia hyn “El Fideo” që zgjidh ndeshjen!” Gjithsesi, vlerësimi i radhës pritet të bëhet pas ndeshjes së kthimit në Ligën e Europës në fushën e Nantës, ku shpresohet të arrihet kualifikimi.

Sfidanti.al