Rekordmenët e titujve në Itali realizuan objektivin normal që kishin, kaluan në çerekfinale të Ligës së Europës, madje këtë herë bindshëm. Që pas barazimit në shtëpi 1-1 ndaj Nantës, ka pasur rezultate pozitive, 3-0 në Francë, 1-0 në Itali ndaj Frajburgut dhe tani fitore 2-0 në Gjermani. Golat ishin nga Dushan Vlahoviç me penallti dhe Federiko Kieza. Të dy së bashku është hera e parë që shënojnë tek Juventusi, ndërsa 3 vjet e një muaj më parë e kishin bërë me fanelën e Fiorentinës, në fitoren 5-1 ndaj Sampdorias në Serinë A. Kieza ka qenë i dëmtuar për shumë kohë, ndërsa sulmuesi serb ka pasur probleme përshtatjeje. Juvja dhe trajneri Alegri shpresojnë që dy sulmuesit të luajnë më shpesh krah për krah dhe të shënojnë.
Sfidanti.al