Juventusi e tregon veten Juventus me fitoren në Sasuolo

Trajneri Masimiliano Alegri kishte paralajmëruar se “nëse nuk do të luajmë në maksimum, nga ai stadium do të dalim me kocka të thyera”. Lojtarët e besuan trajnerin e tyre dhe Juventusi arriti të shpëtonte “gjallë” nga “ferri i Sasuolos”. Njëra nga skuadrat më interesante të kampionatit i dha një sfidë të fortë rekordmenëve të titujve në Serinë A, por përfundimisht piemontezët ia dolën me “rrokullisje”. Xhakomo Raspadori (me gjasë lojtar i ardhshëm i Juves) shënoi në 39’ për vendasit, por Paulo Dibala (45’) dhe Moise Kean (88’) përmbysën rezultatin për “Zonjën” duke goditur pikërisht në fund, siç bëjnë ekipet eksperte. Raspadori mund të zëvendësojë pikërisht Dibalën. Alegri la në stol De Ligtin dhe Kuadradon, po ashtu Vlahoviç e nisi si rezervë. Në pjesën e parë pati “pak Juve”, por pas pushimit ishte ndryshe. Juventusi ka 66 pikë, duke qenë në vend të katërt, por vetëm 1 pikë prapa Napolit që është i treti. Kualifikimi në Champions duket i siguruar pasi diferenca me Romën e vendit të pestë është 8 pikë kur duhen edhe 4 ndeshje deri në përfundim të kampionatit.

Sfidanti.al