Dy gola dhe shumë “10”-ta, fundjavë e mirë shqiptare në Europë!

Nuk ishin të gjithë në maksimum, por sërish shkoi mirë. Fundjava ishte pozitive për shumicën e futbollistëve shqiptarë në Europë, të cilët shënuan gola dhe bënë paraqitje të rëndësishme. Rej Manaj realizoi rrjetën e pestë sezonale në Serinë A, duke qenë sërish ndër më të dalluarit për Specian. Pavarësisht se ekipi i tij pësoi humbje në Torino, sërish sulmuesi shqiptar la shenjën duke fituar dhe ekzekutuar penallti, ndonëse nuk pati përballë Etrit Berishën. Gol edhe për Eduart Rrocën në Ligën e Parë të Turqisë. Mesfushori shqiptar ishte sërish më i miri për Istanbulsporin, në humbjen shtëpiake ndaj Erzurusporit, disfatë që ia rrezikon shanset për t’u ngjitur në Superligë. Në ndeshjen e mëparshme ndaj Denizlisporit, Rroca shënoi 3 herë, dhe ka 4 gola këtë sezon.

Vlerësimet janë të larta për Kristjan Asllanin dhe Nedim Bajramin e Empolit në fitoren me përmbysje 3-2 ndaj Napolit. Asllani mori notën 6.5 dhe rrezikoi të shënonte, ndërsa Bajrami ishte vendimtar kur hyri në fushë. Aksioni i tij krijoi golin e parë të vendasve për 1-2, ndërsa goli i tretë ishte falë asistit pikërisht të Bajramit dhe shënuar nga Pinamonti. Tomas Strakosha mori notën 7.5, më i miri për Lacion në humbjen me Milanin, duke bërë disa pritje edhe pse nuk e shpëtoi dot ekipin. Vlerësim shumë i mirë edhe për lojtarin e krahut të kombëtares, Ermir Lenjani. Shqiptari nga Kosova ishte në fushë në fitoren 3-1 të Grashopersit ndaj Lozanës në Superligën e Zvicrës, një sukses i rëndësishëm për të mos rrezikuar statusin në elitë. Lenjani ishte vendimtar në golin e dytë të shënuar nga skuadra e tij.

Sfidanti.al