“Duhet të jemi djallëzorë”. Kështu është shprehur trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, në prag të finales së madhe të Championsit. Fjala e përdorur nga italiani ishte “diabolici”, dhe kjo do të thotë se ai e kupton se ndaj Realit nuk mjafton një ndeshje e zakonshme, edhe nga ato të standardeve të Juves. Do të duhte që skuadra në fushë “të dijë të vuajë” (sipas filozofisë tipike italiane), të mos lejojë hapësira dhe të dijë të shfrytëzojë shanset që do t’i paraqiten.
“Jemi këtu për të fituar Championsin, – tha shkurt Alegri, – duhet të jemi djallëzorë për t’i goditur në hapësirat që do ta lejojnë. Jemi plotësisht të kthjellët, kemi muaj që punojmë për këtë ditë, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Reali do të jetë favorit sepse është kampioni në fuqi”. “Gjithsesi, – vazhdoi “Maks”, – jemi të ndërgjegjshëm për vlerat tona dhe duhet të shfaqim në fushë ato që ata nuk i kanë, apo që ne i kemi më shumë se ata”.
Xhanluixhi Bufon, ndërkaq, kërkon një nder nga shokët e tij. “Juve, le të ndryshojmë historinë, – thotë kapiteni dhe portieri, – dua një finale përrallash”. Numri 1 bardhezi shton se “për mua do të jetë një finale e veçantë, dhe do të ishte bukur ta fitonim pas kaq shumë sakrificash që kemi bërë”.
Sfidanti.al