Në 23 ndeshje janë arritur 19 fitore, ndërsa katër janë humbje. As në Krotone, Juventusi nuk provoi barazimin, por kjo nuk i prishi asnjë punë në synimet e saj për t’u shpallur sërish kampione. Suksesi 2-0 bëri që diferenca me Romën e vendit të dytë të shkojë në 7 pikë, ndërsa me Napolin deri në 9. Torinezët luajtën ndeshjen e prapambetur të sakrifikuar për të zhvilluar Superkupën e Italisë, humbur me 11-metërsha ndaj Milanit. Në stadiumin “Shida” të Krotones, golat erdhën në pjesën e dytë, kur fillimisht Mario Manxhukiç, e pastaj Gonzalo Higuain (60’ e 74’) bënë diferencën.
Trajneri Alegri pati mundësi të bënte rotacion duke qenë se po afrohet edhe Championsi. Kielini u la pushim për shlodhje, Markizio pati problem në shpinë, Barxali u ul në stol, ashtu si Lihtshtajner (Dani Alvesh për të) apo Aleks Sandro (në fushë Asamoah). Në mesfushë u la pushim Pjaniç, ndërsa sulmi e pati treshen Higuain-Manxhukiç-Dibala. Juventus ka 57 pikë në renditjen e Serisë A.