Julian Nagelsman, mrekullia e re e trajnerëve të Bundesligës

Historia e tij është si një roman. Lindi në Gjermani, në një vend sot për sot të bekuar, pati fatkeqësinë e madhe të mbetej jetim nga babai kur ishte 15 vjeç, dhe të përballonte thuajse gjithçka vetë që nga ajo moshë. Fatkeqësia, pak më e vogël, vazhdoi kur dëmtimet në gju e ndaluan të luante futboll kur ishte 19 vjeç. Të gjitha këto, duket se e bënë më të fortë Julian Nagelsmanin, i cili vazhdoi pa ulur kokën në rrugën e ashpër të jetës. Studioi në universitet, fillimisht për administrim biznesi, dhe pastaj për shkencat sportive (pak a shumë si Murinjo) dhe kaloi tek trajnimi në futboll.

Pas përvojave të niveleve dhe klubeve të ndryshëm, ishte aq i njohur sa Hofenhajmi t’i jepte në drejtim skuadrën e parë kur ishte 28 vjeç. Julian Nagelsman u bë kështu trajneri më i ri në historinë e Bundesligës, por sfida ishte shumë e vështirë. Hofenhajmi ishte 7 pikë poshtë zonës së shpëtimit kur duheshin edhe 14 javë, por me Nagelsmanin u fituan 7 takime, dhe ekipi doli 1 pikë mbi zonën e plej ofit me Bundesligën II. i mbiquajtur “mini Murinjo” nga portiere Tim Vize, Nagelsman vazhdoi mrekullinë sezonin pasardhës, atë të kaluarin, duke zënë vendin e katërt dhe duke u kualifikuar për në Champions.

Sot, ai është përballë një tjetër mrekullie të trajningut gjerman, Jurgen Klopit, që shkëlqeu tek Mainci dhe Dortmundi. Sfida është Hofenhajm-Liverpul, Nagelsman-Klop, për një vend në grupet e Championsit. “Klubi pati guxim të madh që më emëroi trajneri, – thotë me sinqeritet Juliani, – ndërsa tani të gjithë thonë se bëri veprimin e duhur, pasi ne kemi sukses. Nëse do të kishim rënë nga kategoria, do të kishin folur ndryshe”. Nagelsman është padyshim një djalë shumë i zoti, por ai e ka pjekurinë që të pohojë se duhet falenderuar edhe fati, i cili ndonjëherë mund të të kthehet kundër.

Sfidanti.al