Jonathan Tah transferohet te Bayern Munich, ikën Sane

Jonathan Tah është zyrtarisht një futbollist i Bayern Munich. Nuk kishte asnjë dyshim në këtë pikë, me palët që kishin arritur akordin prej kohësh, por tashmë është hedhur edhe firma mbi kontratë. Tah firmosi një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2029:

“Bayern Munich ka kompletuar transferimin e Jonathan Tah nga Bayer Leverkusen si një lojtar i lirë. Mbrojtësi do të mbajë të veshur fanellën me numrin 4”, lexohet ndër të tjera në deklaratën e klubit gjerman.

 “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Bayern Munich. Kisha dëshirë të merrja përsipër këtë përgjegjësi, të punoj dhe të fitoj shumë trofe”, u shpreh Tah.

Vjen Tah, por me shumë mundësi nga Bayern do të largohet Sane. Sulmuesi gjerman ka refuzuar disa oferta nga klubi duke shprehur qartë dëshirën e tij për t’u larguar. Sipas të gjithë gjasave, Sane pritet të rikthehet sërish në Premier League aty ku ka ende shumë admirues. Sipas The Telegraph, Arsenal është ekipi që është më pranë Sane, pasi Arteta kërkon ta bëjë pjesë të projektit të tij. Më herët u fol edhe për një transferim te Tottenham, por Arsenal plotëson kushtet ekonomike dhe sportive të ish futbollistit të Man.City.

sfidanti.al