Erdhi në majë të gishtave në “Bernabeu”, ndonëse presidenti Florentino Perez e prezantoi si “njeriu për të cilin fjala e pamundur nuk ekziston”. Ky është Zinedin Zidan, trajneri që nuk u besua se do të bëhej i madh siç ishte si lojtar, por që fitoi 3 Champions radhazi, dhe që është në prag të fitores së La Ligës numër 2, në 3 tentativa të plota që ka pasur në dispozicion. Humbi të parën në 2016, kur kishte pak muaj që kishte mbërritur në stol, por iu afrua shumë për të mposhtur Barcelonën e Mesit. Fitoi në 2017, duke fituar edhe Championsin, ndërsa në 2018 u detyrua të dorëzohej para Barcelonës, ndonëse fitoi sërish Championsin. Dha dorëheqjen pak ditë pas triumfit të Kievit, ndërsa në 2019 u kthye muajt e fundit pa mundur të ndryshonte fatin e Realit.
Ky është sezoni i tij i tretë i plotë në stol, dhe La Liga numër 2 është thuajse e fituar. Këtë e përcaktoi edhe suksesi 1-0 ndaj Getafes në “Alfredo Di Stefano”, falë golit të vonshëm (79’) me penallti nga Sergio Ramos. Një Real jo i bukur, por fitues, dhe garda e vjetër tregoi se ende vlen. Kurtua, Ramos, Varan, Karvahal, Kros, Modriç, Benzema, Isko. Reali ka 74 pikë ndaj 70 të Barçës kur duhen edhe 5 javë deri në përfundim.
Sfidanti.al