Kontrata e saj përfundon këtë verë dhe si sulmuese e vërtetë që është në profesion nuk ngurron të bëjë presion. Kosovare Asllani, shqiptarja me origjinë nga Kosova dhe me nënshtetësinë e Suedisë së saj të lindjes, dëshiron një rinovim tek Reali i Madridit, ndaj edhe ka nisur betejën për t’ia arritur. Nuk dihet nëse klubi do të jetë dakord, dhe se cilat do të jenë kushtet kohore e financiare, por Kosovarja e ka shprehur qartë në një intervistë se “detyra ime është që të bëj presion, dua kontratë të re tek Reali”.
Ajo u quajt “galaktikja e parë” e madrilenëve kur u mor nga Reali në korrik 2019, pasi kishte luajtur për Linkopingun në Suedi, Çikago Red Stars në SHBA, Kristianstadin, Paris SG dhe Mançester Sitin. Këtë sezon ka shënuar 12 gola në 15 ndeshje, diçka pozitivë për të. Nuk dihet sesa është rroga e saj, dhe sesa mund të kërkojë, por padyshim që arrin në 30 apo 40 000 euro në vit, diçka e mirë për futbollin e femrave, por e pakrahasueshme me burrat. Sulmuesja 31-vjeçare që njihet shkurt me emrin “Kose” ka luftuar shumë për barazinë të paktën në kombëtare. Flitet se ajo ka mbledhur mbi 500 000 euro nga karriera.
Sfidanti.al