Më i miri i finales nuk mundi ta përmbante veten. Leonardo Bonuçi, njëri prej gladiatorëve më të mëdhenj të Italisë, bërtiti me të madhe sapo u fitua Kampionati Europian në “Uembli”. “Futbolli po kthehet në shtëpi, – thirri ai me të madhe, ndërsa iu drejtua anglezëve: Duhet të hani ende shumë pjata me makarona!” Ndërsa, të kaltrit u kthyen në Aeroportin “Fiumiçino” të Romës, atmosfera ishte pak më e qetë, ndërsa refleksionet më të plota. Të përditshmet italiane, angleze dhe europiane, shkruajtën historitë e tyre.
“Tepër e bukur, – shkruan “La Gazeta delo Sporti”, – Italia kampione e Europës! Në “Uembli” festa është me penallti!” “Il Korriere delo Sport” komenton: Është e jona! Të kaltrit për të shkulur flokët në “Uembli” Jemi kampionë të Europës! E përditshmja torineze, “Tutosport” thekson se “jemi vetëm ne” dhe vazhdon: Italia kampione e Europës! Faleminderit Mançini, vizionar i madh!
Nga Anglia pati ngushëllime dhe vlerësime për kombëtaren. “Kaq pranë, – janë fjalët e “Gardianit”, – pasi pushtuan imagjinatën e kombit, Anglia e Sauthgejtit e humbi Europianin nga penalltitë!” “Tajmsi” i Londrës ia vë fajin mallkimit të penalltive që Anglisë iu mohua ëndrra: “Ekipi i Sauthgejtit gaboi tri herë nga pika e bardhë!” Për “Deili Telegrafin” kjo humbje ishte “agonia supreme”: Penalltitë, sërish thyerje zemre! Në foto, Sauthgejt ngushëllon Bukajo Sakanë.
“Uemblejaso”, titullon “Marka” nga Spanja me foton e pashmangshme të të kaltërve me trofeun në duar në ceremoninë e “Uemblit”. “Bravisima”, zgjedh “AS” e Madridit të përgëzojë në italisht! Ruleta e penalltive i dha një Italie dinjitoze Eurokupën e dytë! Gabon Sauthgejt! “Të pathyeshëm”, është vlerësimi i gazetës “L’Ekip” nga Franca. “Me 34 ndeshje radhazi pa humbje, italianët u kurorëzuan me titullin e dytë!”
Sfidanti.al