Java perfekte e Liverpulit, në zonën Champions edhe me golaverazh!

Mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur në Premier Ligë, dhe të kuqtë mund të thonë se po e realizojnë synimin. Natyrisht, jo atë të fillimit të sezonit që ishte mbrojtja e titullit, por atë minimal që i mbeti pas një paraqitjeje katastrofale gjatë një pjese të madhe të vitit 2021. Liverpuli fitoi 3-0 në fushën e Bërnlit duke ndjekur suksesin 4-2 në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit e 2-1 në “Anfild” kundër Uest Bromit. Kjo bëri që të barazohej me pikë me Leisterin duke u ngjitur në vendin e katërt, pra në zonën Champions.

Të kuqtë e Jurgen Klopin kanë 66 pikë, po aq sa Leisteri, veçse kanë golaverazh më të mirë, +24 (66-42), ndaj +20 të ekipit të trajnerit Brendan Roxhers (66-46). Jo vetëm kaq, por Liverpuli ka edhe bilanc më të mirë në ndeshjet direkte, pasi ka fituar 3-0 në “Anfild” dhe ka humbur 1-3 në fushën kundërshtare. Në stadiumin e Bërnlit, në fitoren 3-0, golat u shënuan nga Roberto Firmino, Nataniel Filips dhe Aleksandër Okslejd-Çembërlen. Javën e fundit të dielën e 23 majit, Liverpuli pret Kristël Palasin, Leisteri pret Totenhemin, ndërsa Çelsi shkon në fushën e Aston Vilës. Çelsi ka 67 pikë, ndaj 66 të Liverpulit e Leisterit.

Sfidanti.al