Trajneri Marko Roze bëri shaka kur u pyet për garën për titull. “Për ju, gazetarët, – tha ai, – kjo shprehje, gara për titullin, është një temë shumë interesante. Padyshim, që është diçka e bukur të flasësh për titullin, por ne nuk kemi lindur dje. Ju e keni ndjekur sezonin tonë, dhe jo gjithnjë kemi bërë gjëra të mira”. Gjithsesi, fitorja 1-0 në fushën e Maincit ishte një nga këto gjëra të mira, që e afroi në 4 pikë distancë Borusian nga Bajerni që kryeson renditjen. Pikët janë 60 për bavarezët dhe 56 për Dortmundin, me të dyja skuadrat që kanë luajtur nga 26 ndeshje, dhe në lojë janë edhe 8 javë, pra 24 pikë. A do të mundet ekipi verdhezi të sfidojë bavarezët? “Është pozitive që ne jemi 4 pikë larg Bajernit, – tha Roze, – por, le të mos shikojmë më larg sesa duhet. Kjo nuk na ndihmon”. Gjithsesi, Dortmundi nuk ka angazhim në Europë, ndërsa Bajerni mbetet në Champions dhe ky mund të jetë një plus për ekipin që po luan dhe po fiton pa Erling Halandin e dëmtuar.
Sfidanti.al