Drejtimi nga pankina e një skuadre futbolli është vendi i punës më i pasigurtë në Shqipëri, megjithatë trajnerët tanë e kanë pranuar këtë realitet me përulësi prej më shumë se 30 vjetësh dhe nuk janë lodhur asnjëherë së zëvendësuari njëri-tjetrin. I fundit që la detyrën ishte Bledar Devolli, i cili u largua nga të rinjtë e Tiranës, pasi mendoi se i kishte ardhur koha të drejtonte një ekip të Superiores dhe për t’ia arritur kësaj iu desh të zëvendësonte Blendi Shkëmbin. Por pikërisht dje, Dinamo prezantoi italianin Vanoli, ndërkohë që ky i fundit ka një objektiv të vetëm por shumë të vështirë, të pengojë rikthimin e skuadrës një kategori më poshtë. Pak ditë më parë edhe drejtuesit e Skënderbeut prezantuan trajnerin e ri, që është Skënder Gega, i cili nga kampion i dikurshëm me Partizanin, tashmë ka synimet minimaliste të Vanolit, madje do ta ketë shumë më të vështirë për të bërë shpëtimtarin.
Gjatë këtyre 25 javëve të kampionatit, pankinat janë ndërruar plot 9 herë dhe vetëm Tirana e vendit të parë dhe Kukësi i Safet Gjicit kanë të njëjtët trajnerë që kanë bërë edhe fazën përgatitore. Kështu, tek Partizani, Mehmeti ka zëvendësuar Ilir Dajën, ndërsa korçarët pranuan dorëheqjen e Memellit. Dinamo është “kampione”, me tre trajnerë të parë që nga fillimi i edicionit. Më në fund ka përfunduar aventura shkodrane e Bërdariç, ndërsa Egnatia e nisi me Maganin dhe tashmë po vazhdon me Zekeria Ramadanin. Vukiçeviç nuk pati sukses në Laç dhe u zëvendësua nga një prej më fituesve të Superiores, Mirel Josa, ndërsa Dane Ndreu kërkoi vetë të largohet nga drejtimi teknik i Kastriotit, pas një dënimi relativisht të gjatë që mori nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së, për t’u zëvendësuar nga Çela. Rekordin e sezonit e mban Teuta, që ka shkarkuar dy herë të njëjtin trajner, Edi Martinin dhe tani ka Renato Arapin, i cili hipën e zbret nga tribuna sipas nevojave të klubit. Ndërkohë që kur kanë mbetur edhe 11 javë deri në përfundimin e Superiores, nuk mbetet tjetër, veçse të pritet për të parë se kush e ka rradhën…