Fjalët e bukura dhe fytyrat e forta në prag të ndeshjeve të Championsit të kujtojnë shumë ato të spektakleve të shëmtuar të boksit, dhe po ashtu realiteti nuk është shumë i ndryshëm. Dy superfuqitë Bajern e Real, u shfaqën në fushë siç ishin dikur vëllezërit Kliçko, pasi Tajsoni, Holifildi e Lenoks Ljuisi në ring. Bavarezët shkelën me këmbë Arsenalin brenda në Londër, ndërsa madrilenët i treguan vendin Napolit në Itali.
Rezultatet ishin kopje e atyre të ndeshjeve të para, 5-1 ia doli skuadra e Ançelotit pasi kishte fituar po kaq në “Alianc Arena”, 3-1 ishin shifrat e Madridit të Zidanit, identike me ato të suksesit në “Santiago Bernabeu”. Nëse Robert Levandovski vazhdoi të shënonte për gjermanët, Kristiano Ronaldo sërish nuk ia doli për spanjollët, por ky nuk përbën më një lajm.
Në “Emirejts” u duk se historia mund të ndryshonte, të paktën që Arsenali do të tregonte krenarinë e plagosur për të fituar ndeshjen në shtëpi. Goli i Teo Ualkotit dha një farë shprese, edhe pse fare të vogël. Mjaftoi që Koshielni të dilte me të kuqe pas pushimit dhe Bajerni të përmbyste gjithçka. Levandovski realizoi me penallti, pastaj Roben, Dagllas Kosta dhe dy herë Vidal. Bajerni e ka eleminuar katër herë në katër përballje, Arsenalin. Londinezët janë eleminuar në turin e dytë në të shtatë sezonet e fundit. “Familjare”, shkruan media britanike.
Reali, ndërkaq, e eleminoi për herë të dytë Napolin në Champions, pas vitit 1987, këtë herë siç pritej më lehtë sesa në kohën e Maradonës, kur ndeshjet dolën 0-2 dhe 1-1. Ishin mbi 70 000 tifozë në “San Paolo”, por të përzgjedhurit e një klubi të madh si Madridi kanë veshë të fortë për t’i përballuar. Pavarësisht se Mertens dha shumë pritshmëri me golin për 1-0 (duhej edhe një për të kaluar turin), synimi nuk u arrit. “Aeroplani” Ramos fluturoi sërish, këtë herë në dy raste duke kthyer mbrapsht rezultatin në 1-2. Në fund, Alvaro Morata fiksoi shifrat 3-1.
Tani pritet se çfarë do të bëjë Barcelona ndaj Paris SG, ndonëse humbja 0-4 e ndeshjes së parë në Francë, nuk lë shumë vend për diskutime.
Sfidanti.al