Inzagi: Jemi pranë realizimit të ëndrrës tek e cila kemi besuar nga gushti!

Nuk pritej i tillë, por ndodh edhe kështu. i takoi Interit derbi i parë gjysmëfinal në Champions, edhe pse u luajt në “San Siron” që këtë herë ishte shtëpia e Milanit, dhe që pati mbështetjen e shumicës së 75 000 tifozëve. Ashtu siç thuhet gjithmonë, një duel i tillë nuk mund të parashikohet, por sidoqoftë mund të thuhet se zikaltërit hodhën një hap të madh drejt finales, që do të ishte e para që kur fituan në 2010 nën drejtimin e Zhoze Murinjos. Edin Xheko dhe Henrik Mkitarian realizuan golat në suksesin 2-0, materializuar në një pjesë të parë të madhe, ndërsa pas pushimit skuadra e trajnerit Simone Inzagi pati gjithçka nën kontroll. Tekniku flet për një ëndërr tek e cila ka besuar gjithmonë.

“Djemtë luajtën shumë mirë, duke e zgjidhur saktë një ndeshje tepër delikate dhe me shumë emocione, – shprehet Inzagi, – Pas pushimit, e kontrolluam lojën, me përjashtim të gjuajtjes së Tonalit. Edhe zëvendësimet na ndihmuan shumë, siç duhet të ndodhë gjithmonë. Duhet të vazhdojmë përpara me këtë frymë. Jemi të kënaqur, por e dimë se duhet luajtur edhe një ndeshje për të arritur një ëndërr, tek e cila kemi besuar që nga gushti e deri më sot”.

Sfidanti.al