Mauro Ikardi shënoi 3 gola dhe u tregua një kapiten i vërtetë, por as kjo nuk doli e mjaftueshme për Interin gjithnjë e më të dobët. Trajneri Stefano Pioli po provon tashmë sesa e vështirë është “të kthesh në rrugë të mbarë” këtë skuadër e cila zhgënjen sa herë që beson tek ajo, dhe që sukseset e fundit i pati 7 vjet më parë me Roberto Mançinin dhe Zhoze Murinjon.
U mund 4-5 në fushën e Fiorentinës, duke marrë fytyrës një “shuplakë” të vërtetë, që mund ta lerë përfundimisht jashtë Europës. Pasi shpërdoroi dy gola epërsi në derbin me Milanin, prishi gjithçka me duart e veta në stadiumin “Artemio Franki” të Firences, ku kryesoi 2-1 deri në minutën e 62-të. Veçino kaloi Fioren në epërsi, Perishiç e Ikardi përmbysën shifrat për zikaltërit, por pastaj erdhi “breshëria” .
Bernardeski humbi penallti, veçse Astori, Veçino, Babakar dhe sërish Babakar shënuan katër herë për vetëm 17 minuta. Ikardi shënoi dy herë të tjera në minutat 88 e 90, por disfata nuk u shmang dhe Interi mbeti në vendin e 7-të, me Milanin dy pikë më lart dhe me një ndeshje më pak dhe me Fiorentinën fare pranë. Në Ligën e Europës të kualifikon vendi i pestë që e ka Lacio me 61 pikë.
Sfidanti.al