Fitorja ndaj Salernitanës dha shpresë për Serinë A, ndërsa ajo në Liverpul krijoi më shumë vetëbesim dhe krenari të ligjshme. Gjithsesi fundi i një jave të ngarkuar tregoi se Interi i sotëm nuk i ka mundësitë që të përballojë një sfidë në dy fronte, dhe gara për titull në Serinë A është kaq e fortë saqë çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Barazimi 1-1 në fushën e Torinos, i arritur me shpirt ndër dhëmbë fare në fund, bëri që zikaltërit të zbrisnin në vendin e tretë, madje do të ishin të dytët edhe nëse do të fitonin ndeshjen e prapambetur me Bolonjën (që nuk e kanë të sigurt).
“Për titullin duhet të bëjmë më shumë, nuk e luajtëm ndeshjen siç duhet”, – tha trajneri Simone Inzagi. Aleksis Sançezi u kthye nga “koka e turkut” për eleminimin nga Championsi, në hero pasi shënoi në minutën e 93-të. Interi u përpoq të dominonte ndeshjen, por nuk ia doli dhe thuajse përballja ishte e barabartë, edhe pse milanezët e mbajtën topin më shumë. Interi ka 59 pikë në 28 ndeshje, Milani ka 63 në 29, Napoli 60 në 29 dhe Juventusi 56 pikë në 29 ndeshje.
Sfidanti.al