Klej Tompson kthehet në kohët e vjetra, dhe Golden Stejti ka ëndrra të mëdha!

E dëshironte një mbrëmje të tillë. Klej Tompson ende nuk e kishte thënë siç duhet fjalën e tij për Golden Stejtin, ndërsa prej disa javësh ishte kthyer nga një dëmtim i rëndë. Kapiteni i ish-kampionëve më në fund u ndje i frymëzuar në një nga ndeshjet më të vështira, atë kundër kampiones në fuqi të NBA-së, Miluokit, duke shënuar 38 pikë e duke qenë më i miri në fushë. Njeriu, që bashkë me Stef Kërrin, njihet si “Vëllezërit Splesh”, pati 8 gjuajtje të sakta për tri pikë, nga 14 gjithsej, dhe shtoi 6 topa në tabela, 5 asistë, 1 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje. Kjo ishte ndeshja e dytë e Tompsonit me të paktën 30 pikë këtë sezon, që nga 9 janari kur nisi të luante sërish basketboll.

Në moshën 32-vjeçare, ai nuk është edhe aq i vjetër, por është e pamundur të kthehesh në formë kur ke 2 vjet e gjysmë që mungon në parket për shkak të dëmtimit të tendinit të Akilit. Paraqitja e kapitenit dhe e Xhordan Pulit, që shënoi 30 pikë, kompensoi paraqitjen jo edhe aq të mirë të Kërrit që papritur pati vetëm 8 pikë. Miluoki është kampioni në fuqi i NBA-së dhe kishte 6 fitore radhazi, por nuk ia doli përballë një Tompsoni kaq në formë. Golden Stejti mban vendin e dytë në Konferencën Perëndimore, me të njëjtin rezultat si Memfisi, ndërsa Miluoki është po i dyti në Lindje.

Sfidanti.al