Ka vendin e tij të merituar në ngjarjet e mëdha të kësaj jave. Nga Interi lajmërojnë se për 3-4 ditë do të njoftojnë zyrtarisht transferimin e Kristjan Asllanit, me mesfushorin shqiptar që e ka tashmë të zgjidhur çështjen e së ardhmes. Klubi zikaltër dhe Empoli duket se kanë rënë dakord mbi shumën e 13 milionë eurove për kartonin. Pjesë e marrëveshjes është edhe huazimi i dy lojtarëve tek toskanët, Satriano dhe Agume. Për tifozët milanezë ky është një lajm i mirë, në vazhdën e lajmit tjetër që tek Interi do të vijë edhe Paulo Dibala. Sulmuesi argjentinas ka arritur marrëveshje 4-vjeçare dhe do të krijojë dyshen ofensive me Lautaro Martinezin. Nga ana tjetër, publiku zikaltër është i pakënaqur me njoftimet se Milan Shkriniar mund të kalojë tek Paris SG, qoftë edhe për një shumë tepër të madhe, ndërsa nuk dihet e ardhmja e mbrojtësve të tjerë Bastoni e De Vraj.
Gjithsesi, për Asllanin rëndësi ka që karriera e tij do të vazhdojë në njërën nga tri skuadrat më të mëdha të Serisë A. Pritet që rroga e tij të jetë 1.2 milionë euro pas taksave, plus shpërblime në bazë të objektivave individuale dhe ekipore. Tek Interi, 20-vjeçari nuk e ka të garantuar vendin si titullar, dhe as nuk mund ta pretendojë në një ekip ku stolin e provojnë edhe Xheko, Aleksis Sançez apo Gosens. Gjithsesi, ai do të jetë një alternativë tepër e rëndësishme për trajnerin Simone Inzagi, si plotësim i kroatit Marcelo Brozoviç, dhe padyshim që do të ketë minutash në një sezon të ngarkuar në Serinë A, Champions dhe në Kupën e Italisë.
Sfidanti.al