Interi, frikë për mungesë të konsiderueshme të Zielinskit

“Mendoj se do ta humbasim Zielinskin për njëfarë kohe”. Këto fjalë të Simone Inzaghit pas ndeshjes kundër Monzës nuk japin lajme pozitive për gjendjen e mesfushorit polak. Të hënën do të kryhen ekzaminimet mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, por problemi në pulpën e këmbës së djathtë duket shqetësues. Zielinski hyri në lojë në minutën e 25-të të pjesës së dytë, duke zëvendësuar Mkhitaryan, por pas një sprinti ndjeu tërheqje në pulpë, duke u detyruar të dorëzohej menjëherë. Ai u largua nga stadiumi me paterica, teksa frika është për një mungesë afatmesme ose të gjatë. Ndërkohë, lajme pozitive vijnë nga Lautaro Martinez. Kapiteni i zikaltërve ndjeu një shqetësim në muskujt e kofshës së majtë, por sipas “Sky Sport” bëhet fjalë vetëm për lodhje muskulore. Lautaro do të jetë gati për ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League kundër Feyenoordit, e cila do të luhet të martën në mbrëmje në “San Siro” (gjyqtari i ndeshjes do të jetë sllovaku Ivan Kružliak). Sa i përket Dimarcos dhe Zalewskit, trajneri Inzaghi konfirmoi se nuk do të jenë gati për të martën, por do të vlerësohet gjendja e tyre për ndeshjen e së dielës kundër Atalantës në Bergamo. Ndërkohë, skuadra është rikthyer në stërvitje të dielën në mëngjes për t’u përgatitur për sfidën ndaj holandezëve, me seancë të lehtë rikuperimi për ata që luajtën më shumë kundër Monzës.

 

sfidanti.al