Barcelona humbet 50 milionë nga mungesa në Botërorin e Klubeve

Çdo lajm i ri mbi Botërorin e Klubeve, që do të zhvillohet në SHBA nga 14 qershori deri më 13 korrik të kësaj vere, e bën edhe më të dhimbshëm faktin që Barcelona nuk është kualifikuar për këtë kompeticion të ri të organizuar nga FIFA. Është e vështirë të pranosh se do të jenë të pranishëm të gjitha klubet e mëdha, përveç ekipit që ka zhvilluar futbollin më të bukur këtë sezon. Një goditje morale dhe ekonomike që e dëmton edhe më shumë Barçën me 125 vite histori. Nga ana e imazhit dhe prestigjit, mungesa në këtë turne, që për herë të parë do të mbledhë 32 ekipe, është një dështim sportiv, i shkaktuar nga paraqitjet e dobëta në Champions League vitet e fundit. Nga ana financiare, kjo përkthehet në humbje të konsiderueshme të të ardhurave, të cilat mund të kishin ndihmuar në përmirësimin e bilancit të klubit katalanas.

Ky turne i ri është një tjetër manovër fitimprurëse e FIFA-s, duke e shndërruar edhe më shumë futbollin në biznes miliardësh. FIFA do të arkëtojë 2 miliardë dollarë nga të drejtat televizive, biletat etj. Formula e turneut është e ngjashme me Kupën e Botës për kombëtaret dhe do të organizohet çdo katër vite, duke shpërndarë një fond rekord çmimesh prej 928 milionë eurosh (1 miliard dollarë). Për shembull, Real Madridi, vetëm për pjesëmarrje do të marrë 35 milionë euro, ndërsa mund të fitojë deri në 145 milionë, nëse shpallet kampion. Atletico Madridi, që fitoi vendin e fundit të disponueshëm për Spanjën në këtë turne, përpara Barcelonës, do të përfitojë 20 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen dhe deri në 50 milionë, nëse kalon fazën e grupeve.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po synon që futbolli (ose “soccer”, siç e quajnë në SHBA) të ketë të njëjtin prestigj si NBA, MLB dhe NFL, tri ligat më të mëdha amerikane. Për këtë arsye, FIFA ka hapur një zyrë në Miami, ka siguruar pjesëmarrjen e Inter Miamit të Lionel Messit dhe ka planifikuar një shfaqje madhështore muzikore në pushimin e finales, duke ndjekur modelin e Super Bowl-it, me ‘Coldplay’ si protagonistë. Madje, Infantino është takuar këtë javë me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për t’i prezantuar eventin.

FIFA përfiton nga klubet, por nuk paguan rroga, nuk ka detyrime ndaj lojtarëve dhe ngarkon kalendarin me më shumë ndeshje, duke rrezikuar shëndetin e futbollistëve. Mes projekteve të saj të reja është edhe një Botëror i Klubeve për futbollin femëror, që do të organizohet më 2026, ku Barcelona do të jetë pjesëmarrëse, falë suksesit të saj të madh.

Ndërkohë, FIFA vazhdon të rrisë rrjetin e sponsorëve, veçanërisht pas vendimit për t’i dhënë Arabisë Saudite organizimin e Botërorit 2034. Kompania shtetërore e naftës ‘Aramco’ ka nënshkruar një kontratë sponsorizimi prej 100 milionë dollarësh në vit. Pra, çdo gjë ka çmimin e saj. Si përfundim, mungesa e Barcelonës në Botërorin e Klubeve 2025 është një dëm i madh për klubin katalanas. Për shkak të koeficientit të ulët të UEFA-s në katër sezonet e fundit, Barça nuk ka mundur të sigurojë një vend mes 12 ekipeve europiane që do të marrin pjesë në këtë kompeticion të ri. Skuadra blaugrana, me 5 Champions League të fituar, do të jetë thjesht një spektatore para televizorit. Trishtim dhe zhgënjim i madh…

sfidanti.al