Interi fiton Superkupën e Italisë, mund 3-0 Milanin në Arabi!

Interi fiton Superkupën e Italisë në derbin ndaj Milanit luajtur në Arabinë Saudite. Skuadra zikaltër u tregua më e fortë dhe ia doli me shifrat 3-0, duke mbrojtur trofeun e fituar edhe sezonin e kaluur. Dimarko shënoi golin e parë që në minutën e 10-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll 2-0 pas golit të shënuar nga sulmuesi boshnjak, Edin Xheko. Ky i fundit theu rekordin e Kristiano Ronaldos, si shënuesi më i vjetër në një finale të Superkupës.

Ndërsa ndeshja po i drejtohej fundit, erdhi edhe goli i tretë realizuar nga argjentinasi Lautaro Martinez. Një sukses i merituar për Interin që u tregua më konkret dhe më i saktë sesa kundërshtari, duke kaluar shpejt në avantazh dhe duke arritur të kontrollonte ndeshjen. Tashmë, Interi kthehet me më shumë besim në Serinë A, ndonëse është larg vendit të parë, ndërsa Milani mbetet në krizë, duke dështuar edhe në objektivin e dytë të sezonit, pas eliminimit nga Kupa e Italisë.

Sfidanti.al