Një tjetër fitore, dhe një tjetër hap drejt titullit të parë në 11 vjet. Interi nuk u ndal as në fushën e Torinos, ndonëse u desh të kalonte një provë tepër, tepër të vështirë. Romelu Lukaku shënoi me penallti pas pushimit, por ishte Lautaro Martinez që siguroi fitoren katër minuta para fundit, duke shënuar me kokë, ndërsa Toro kishte barazuar me anë të Sanabrias në 70’. Kjo ishte fitorja e 8-të radhazi dhe e 9-ta në 10 ndeshjet e fundit në Serinë A.
Lëvizja fituese ishte aktivizimi i Aleksis Sançezit, që pati rol përcaktues, ashtu siç kishte paralajmëruar Zamorano një ditë më parë. Sulmuesi kilen, vetëm pas 5 minutave asistoi harkimin që solli golin e fitores shënuar nga Lautaro Martinez. Trajneri Antonio Konte për fat tani nuk ka të dëmtuar, pra ka më shumë alternativa.
Ndeshja ishte tepër e vështirë, pasi Torino luajti shumë fortë dhe shumë mirë në pjesën e parë, duke bërë presion e duke mos lejuar raste të pastër për miqtë. Jo vetëm kaq, por ishte Toro që iu afrua më shumë golit kur Lianko goditi shtyllën e portës së Handanoviçit. Gjithsesi, cilësia e yjeve të sulmit interist ishte e dukshme. Lautaro Martinez pati dy mundësi në pjesën e parë, u përpoq shumë deri në fund dhe shënoi golin e fitores. Ishte gjithashtu ai që fitoi penalltinë e kthyer në gol nga Lukaku për 1-0. Interi kryeson Serinë A me 65 pikë në 27 ndeshje, ndërsa Milani ka 56 me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al