Ibrahimoviç është si macja, dashuron suksesin jo “shtëpinë”!

Ai do t’i qendrojë besnik parimeve të tij. Zllatan Ibrahimoviç ka ndryshuar më shumë klube në karrierë se cilido lojtar tjetër i madh që ne njohim, dhe nuk do të ngurrojë ta bëjë këtë përsëri. Që nga Malmoja, Juventusi, Interi, Barcelona, Milani, Paris SG ja edhe Mançester Junajtid. Çështja është nëse klubi anglez do të jetë në gjendje të mbajë më tej suedezin, i cili u tregua shumë i drejtpërdrejtë, ndërsa foli për televizionin MUTV.

“Unë nuk jam këtu për të humbur kohën, – tha ai, pa u druajtur aspak, – këtë e kam thënë që ditën e parë. Jam 35 vjeç dhe shumë gjëra duhet të sqarohen. Unë erdha këtu për të fituar dhe nëse dikush kërkon të fitojë më shumë, duhet të krijojë një skuadër më të fortë”. Ibra sqaroi se e kishte të qartë që Junajtid nuk ishte aq i fortë dhe nuk ia mbushte syrin, por ai sërish erdhi që ta ndihmonte të bëhej më të fortë.

Zllatani duket më shumë si “macja” sesa si “qeni”, ai nuk pëlqen t’i rrijë besnik “shtëpisë”, pra klubit, por “ushqimit” dhe “strehës”, pra suksesit. “Jam këtu që të fitoj Championsin, po bisedojmë për kontratën e re, por nuk mund të them ndonjë gjë më shumë”, – ia preu shkurt Ibra gazetarit të MUTV-së.

Sfidanti.al