Ibra rinovon me Milanin, por kërkon një ekip për të fituar tituj!

Ky sezon nuk po mbyllet mirë, dhe duhet menduar për të ardhmen. Milani tregoi edhe ndaj Sampdorias se jo vetëm se e ka të vështirë të fitojë titullin, por edhe rrezikon Championsin, ndaj drejtuesit kanë nisur të veprojnë.  Lëvizja numër 1 është ajo që ka të bëjë me Zllatan Ibrahimoviçin. Lajmet nga Lombardia janë të mira sepse flitet që ylli suedez është shumë pranë rinovimit të paktën edhe për një vit tjetër. Besohet se rroga do të jetë 7 milionë euro në sezon, ndërsa problemi kryesor është që Ibra të ketë në krah edhe një skuadër të aftë për të luftuar për tituj, e sidomos duhet forcuar sulmi.

Dëshira e madhe është Dushan Vllahoviç i Fiorentinës. Sulmuesi serb ka shpërthyer me të vërtetë këtë sezon duke shënuar 13 gola e duke dhënë 2 asistë në 28 ndeshje të Serisë A, por nuk do të jetë e lehtë për t’u marrë. Sipas agjencisë së specializuar “transfermarkt”, kartoni i tij vlerësohet 25 milionë euro, por “La Gazeta delo Sport” parashikon që konkurrenca do të ngrejë deri në 40 milionë të paktën. Sidoqoftë, Milani kërkon përforcime dhe do të ndihmohet nga rroga e ulët, pasi në moshën 21-vjeçare, Vlahoviç mund të pranojë edhe më pak se 1.5 milionë euro në sezon.

Në listë edhe ylli i Atalantës, Josip Iliçiç. Sulmuesi slloven është një figurë e futbollit në Itali pasi kaloi problemet e vjetshme me Kovidin. Ai nuk mund të jetë e ardhmja, pasi është 33 vjeç, por mund të vazhdojë të luajë në nivele të larta, e këtë sezon ka 5 gola e 8 asistë në 22 ndeshje, me trajnerin Pioli që do ta priste me krahë hapur, por me projektin e klubit që nuk dëshiron lojtarë të vjetër. Dyshimet më të mëdha për Milanin janë lidhur me të ardhmen e portierit Xhixho Donaruma, të cilit i përfundon kontrata këtë verë dhe ende nuk ka ndonjë shenjë se ai mund të rinovojë.

Sfidanti.al