“Dëmtimi” doli fals, fshihen fotot nga Instagrami, kombëtarja po e humb Kamberin!

Gjithçka nisi në grumbullimin e fundit e ndoshta mund ta humbasim. Florian Kamberi me gjasë është i zemëruar me trajnerin e kombëtares, Edi Reja, që e la jashtë ndeshjes me Anglinë, dhe nëse shikon faqen e tij në Instagram kupton se vërtet ka diçka. Në mënyrë të pazakontë, sulmuesi 26-vjeçar ka fshirë fotot e tij si pjesë e ekipit përfaqësues, një shenjë e qartë hatërmbetjeje. Burime në kombëtare bënë me dijë që pas ndeshjes me Anglinë se Kamberi u zemërua që Reja e la jashtë formacionit, ndërsa fillimisht ishte parashikuar që të luante si titullar.

Gjatë ndeshjes, ai u paraqit i dëmtuar dhe nuk pranoi të hynte si zëvendësues. Vetë Reja deklaroi se nuk kishte asnjë çështje “Kamberi” dhe se futbollisti ishte i dëmtuar, diçka që e pohuan edhe burime në delegacionin kuqezi. Gjithsesi, 26-vjeçari luajti këtë fundjavë për Aberdinin në Kupën e Skocisë, madje duke qenë titullar, pra duke mos shfaqur asnjë shenjë dëmtimi. Kamberi ka qenë pjesë e Aberdinit dhe është aktivizuar në 6 ndeshje gjatë vitit 2021 e duke humbur vetëm 4 minuta, dhe vetë Reja vlerësoi se sulmuesi ishte në formë shumë të mirë. Ai ende nuk e ka bërë debutimin në kombëtare dhe nuk dihet nëse do t’i përgjigjet ndonjë ftese në të ardhmen.

Sfidanti.al