Statistikat janë të qarta dhe nuk të lënë të gabosh. Me rrjetën e fundit të shënuar dje, Armando Broja u bë më i riu lojtar në historinë e Premier Ligës angleze që shënon gol në 4 ndeshjet e para si titullar në fushën e vet. Kjo, në moshën 20 vjeç e 123 ditë. Po ashtu, në total, asnjë lojtar nuk e kishte bërë këtë, pavarësisht moshës, që nga Diego Kosta në tetor 2014. Interesant, Kosta ka qenë lojtar i Çelsit, klub që mban kartonin e shqiptarit që luan për Sauthempton. Suksesi ishte 4-1 në shtëpi ndaj Brentfordit dhe tregoi formën e mirë të “shenjtorëve”, mes të cilëve edhe të sulmuesit të Shqipërisë. Broja ka 5 gola në Premier Ligë këtë sezon, ndërsa në total ka 10 gola dhe 2 asistë, duke qenë vetëm 10 herë titullar. Kështu që lojtari “i paedukuar” dhe i “pasjellshëm me grupin”, siç e quan trajneri i kombëtares, Edi Reja, vazhdon të shkëlqejë në Angli. Sauthemptoni është në vendin e 11-të në renditje, një pozicion shumë i mirë, me 24 pikë, plot 13 pikë larg zonës që të zbret nga kategoria.
Sfidanti.al