Le të mos bëjmë astrologji, por është shumë e thjeshtë të parashikosh se çfarë mund të ndodhë në kampionatin më të fortë të botës, kur kampionia Man. Siti i lejon vetes të largojë një lojtar të kombëtares së Spanjës për tek Barcelona, apo që Çelsi mund të luajë për javë të tëra pa dyshen e sulmit Lukaku-Verner, porse Liverpuli nuk mundet të bëjë pa lojtarët e sulmit si Salah, Mane, Zhota apo Firmino. Humbja e të kuqve në fushën e Leisterit ishte një goditje e rëndë në shpresat për të fituar sërish titullin pas atij të vitit 2020, por është rrjedhojë e padyshimtë e diferencës së madhe financiare, pasi Siti e Çelsi mund t’i shpërdorojnë paratë, ndërsa Jurgen Klopi nuk mundet ta bëjë. Natyrisht, kjo nuk është diçka e re. Liverpuli dominoi ndeshjen me 62 për qind mbajtje topi, me 15 gjuajtje ndaj vetëm 2 (që solli një gol), me 12 goditje nga këndi ndaj 1, por duke mos pasur energjinë e duhur për të çarë një ekip që mbrohet me 10 vetë. Lukman shënoi në 59’ pasi Salah humbi penalltinë në 16’ për miqtë. Siti kryeson me 47 pikë ndaj 41 të Liverpulit e Çelsit.
Sfidanti.al