Sulmuesi i Kombëtares tonë, Sokol Cikalleshi, është aktivizuar sërish si titullar në Kupën e Turqisë për ekipin e tij, Bashaksehir. Futbollisti kavajas qëndroi në fushë për 67 minuta, në fitoren 2-0 në shtëpi të ekipit të tij përballë Sivasporit, ndeshje e vlefshme për Grupin F, në fazën e dytë të Kupës. Edhe pse nuk po luan në kampionat, në kompeticionin edytë për nga rëndësia, sulmuesi shqiptar po preferohet si titullar, madje në ndeshjen e kaluar realizoi golin e vetëm për Bashakshehirin, duke i dhënë fitoren 0-1 në transfertë, ndaj Jeni Amasjasporit.
Pas dy ndeshjesh, Bashakshehir kryeson grupin me 6 pikë të plota. Para ndeshjes së fundit, titullarët e të dyja skuadrave ishin veshur me uniforma policie, në shenjë solidariteti me viktimat e sulmit terrorist të disa ditëve më parë në Stamboll. Ata kanë mbajtën të shpalosur edhe një banderolë ku shkruhej: “Jemi 79 milion njerëz me një zemër”.